Ka diçka gabim? – Korrigjojeni atë!

Për t’u siguruar se keni paguar tatimin e saktë dhe për të shmangur gjobat, ju duhet të kontrolloni informatat e regjistruara për ju dhe pronën tuaj dhe të kontaktoni komunën tuaj nëse gjeni ndonjë gjë të pasaktë.

Regjistrat e tatimit në pronë përmbajnë informata për ju dhe pronën tuaj. Informatat e regjistruara mund t’i shihni në faturën e tatimit në pronë dhe certifikatën e vlerës së vlerësuar. Departamenti i Tatimit në Pronë (DTP) ka shfrytëzuar informatat më të fundit në dispozicion nga Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) në lidhje me pronësinë, sipërfaqen dhe shfrytëzimin e parcelave si bazë për regjistrat e tatimit në pronë.

Departamenti i Tatimit në Pronë dhe Zyret Komunale të Tatimit në Pronë kanë punuar për të gjetur dhe korrigjuar pasaktësitë evidente dhe informatat e vjetërsuara në lidhje me klasifikimin e parcelave. Përkundër kësaj, ende mund të ketë parcela të cilat janë klasifikuar gabueshëm. 

Kontrolloni që gjithçka të jetë saktë. Nëse gjeni pasaktësi, ju duhet të veproni për t’i bërë korrigjimet.

Në Zyrën Komunale të Tatimit në Pronë mund të korrigjohen informatat në vijim:

  • Tatimpaguesipërgjegjës
  • Kategoria e vlerës
  • Vendbanimin parësor
  • Lokacioni/Zona e Vlerës
  • Sipërfaqja

Lexoni më shumë rreth ankesave dhe kërkesës për korrigjime këtu.

Ju lutemi mbani mend që për të bërë korrigjimet në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, ju duhet të kontaktoni Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) ose Zyrën Kadastrale Komunale (ZKK).

Tatimpaguesi përgjegjës

Tatimpagues përgjegjës është personi i cili më 30 nëntor të vitit para vitit tatimor është:

  • Personi i regjistruar si pronar i pronës në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
  • Nëse pronari ka vdekur ose për ndonjë arsye nuk mund të përcaktohet apo lokalizohet, poseduesi ligjor është tatimpagues përgjegjës.
  • Nëse pronari apo poseduesi ligjor nuk mund të përcaktohet apo mund të përcaktohet por nuk ka qasje në pronën e tij/saj, personi i cili faktikisht posedon pronën është tatimpagues përgjegjës.

Për parcela me objekte, është aplikuar i njëjti pronar/posedues sikur për parcelë. Kjo domethënë që nëse zotëroni një objekt, ju gjithashtu konsideroheni tatimpagues përgjegjës për parcelën në të cilën është i vendosur objekti. Nëse kjo nuk është e saktë, apo nëse hisja juaj e parcelës është e pasaktë, ju lutemi kontaktoni zyrën tuaj komunale të tatimit në pronë.

Neni 6 i Ligjit Nr. 06/L – 005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

Kategoria e vlerës

Kategoria e vlerës duhet të përcaktohet bazuar në shfrytëzimin aktual të pronës. Nëse një pronë ka disa shfrytëzime, shfrytëzimi i pjesës më të madhe përcakton kategorinë e vlerës. Nëse kategoria e vlerës nuk është në linjë me shfrytëzimin, ju duhet të kontaktoni Zyrën tuaj Komunale të Tatimit në Pronë.

Kategorizimi kryesisht është bazuar në shfrytëzimin zyrtar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) më 30 nëntor të vitit para vitit tatimor. Nëse shfrytëzimi i pronës suaj ka ndryshuar pasi AKK të ketë regjistruar shfrytëzimin, ju duhet të përditësoni këto të dhëna.

Neni 3.1 i Udhëzimit Administrativ 03/2018 për Metodologjinë e Vlerësimit

Lokacioni/Zona e Vlerës

Në disa raste, lokacioni i një parcele pa objekte nuk është e njohur. Kjo nënkupton që parcela mund të jetëvendosur në vendin e gabuar të zonës kadastrale dhe rrjedhimisht në zonën e gabuar të vlerës.

Nëse kjo është e vërtetë për parcelën tuaj, ju duhet të kontaktoni zyrën tuaj komunale dhe të kërkoni korrigjim.

Ju mund të lexoni më shumë rreth asaj se si të kontrolloni zonën e vlerës në pikën 6 në artikullin “Kontrolloni faturën tuaj – sigurohuni që gjithçka është e saktë”.

Zbritja për vendbanimin parësor

Ju mund të përfitoni një zbritje të vlerës së vlerësuar për njësinë e objektit e cila shfrytëzohet si banimi juaj parësor. Për të fituar zbritjen, ju duhet të regjistroni numrin tuaj personal në regjistrin e tatimit në pronë.

Ju mund të keni vetëm një banim parësor në gjithë Kosovën. Nëse keni më shumë se një, ju duhet ta korrigjoni këtë në Zyrën Komunale të Tatimit nëPronë, përndryshe rrezikoni një gjobë prej 100 Euro në secilën komunë.

Sipërfaqja

Sipërfaqja e regjistruar bazohet në informata nga Regjistri i të Drejtave tëPronës i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (për parcela) dhe në informata në regjistrat e tatimit në pronë (për objekte). Nëse sipërfaqja e regjistruar nuk është në përputhje me sipërfaqen reale të parcelës apo njësisë së objektit, ju duhet të kontaktoni Zyrën tuaj Komunale të Tatimit nëPronë për të kërkuar korrigjim.

  • Për objekte – kontaktoni Zyrën tuaj Komunale të Tatimit në Pronë
  • Për parcela – kontaktoni Zyrën tuaj Kadastrale Komunale.