Lirimet nga pagesa e tatimit në pronë

Tatimi në pronë aplikohet për të gjithë pronarët apo poseduesit për të gjitha pronat e paluajtshme me përjashtim të:

  • Tokës së kultivuar bujqësore
  • Institucioneve dhe organizatave të caktuara

Toka e kultivuar bujqësore

Tatimi në pronë nuk do të imponohet në njësi të parcelave bujqësore të cilat kultivohen.

Ministria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural përcakton kriteret për të vendosur se cilat parcela konsiderohen të kultivuara.

Referenca ligjore: Neni 10 i Ligjit Nr. 06/L-005 Për Tatimin e Pronës së Paluajtshme

Organizatat dhe institucionet e liruara

  • Institucionet publike të Republikës së Kosovës;
  • Organizata e Kombeve të  Bashkuara apo cilido organ të saj, përfshirë këtu agjencitë dhe misionet e specializuara të saj;
  • Bashkimi Evropian apo organet e tij, përfshirë agjencitë dhe misionet e specializuara të tij;
  • Forca Shumëkombëshe e Kosovës;
  • Përfaqësit dhe konsulatat e akredituara nga Republika e Kosovës, rregullimi i të cilave bëhet përmes një marrëveshje reciprociteti mes shteteve, zyreve të marrëdhënieve të jashtme, agjencive qeveritare, organizatave ndërqeveritare, apo agjencitë e huaja që ofrojnë ndihmë humanitare, shërbime rindërtimi, administratë civile apo asistencë teknike në Kosovë;
  • Organizatat joqeveritare me status të benefitit publik në përputhje me legjislacionin në fuqi mbi lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare;
  • Institucionet fetare, prona e të cilave mbahet dhe shfrytëzohet për qëllime fetare, bamirësie dhe kujdesi social dhe për aktivitete të një institucioni arsimor për personelin fetar.

Lirimi nga tatimi nuk vlen nëse prona shfrytëzohet për aktivitete komerciale apo kur organizatat joqeveritare nuk shfrytëzojnë pronën eksluzivisht për qëllime të përfitimit publik.

Referenca ligjore: Neni 10 i Ligjit Nr. 06/L-005 Për Tatimin e Pronës së Paluajtshme