Adresa e tatimpaguesit

Se në cilën adresë dërgohet fatura varet nga informatat të cilat janë në dispozicion në Regjistrin e Tatimit në Pronë. Ju duhet të reagoni nëse nuk e keni marrë faturën për të gjitha pronat tuaja (parcela dhe objekte).

Fatura dërgohet në adresë të tatimpaguesit. Çfarë konsiderohet adresë e tatimpaguesit mund të dalloj varësisht nga informatat e disponueshme në regjistrin e tatimit në pronë.

Ekzistojnë dy raste të ndryshme:

Ju keni regjistruar numrin tuaj personal/numrin identifikues të biznesit në regjistrat e tatimit në pronë

Nëse keni regjistruar numrin tuaj personal/numrin identifikues të biznesit në Regjistrin e tatimit në pronë, ju do të merrni të gjitha faturat e tatimit në pronë nga të gjitha komunat në të njëjtën adresë.

Fatura do të dërgohet si në vijim:

  1. Parimisht në adresë të banimit tuaj primar.
  2. Nëse nuk keni banim primar, fatura do të dërgohet në adresë të objektit tuaj.
  3. Nëse keni më shumë se një objekt, fatura do të dërgohet në adresë të objektit i cili është regjistruar së pari.

Ju lutemi sigurohuni që të gjitha parcelat dhe objektet tuaja janë të regjistruara me numrin tuaj personal!

Ju nuk keni regjistruar numrin tuaj personal në Regjistrin e tatimit në pronë

Nëse nuk keni regjistruar numrin tuaj personal në Regjistrin e tatimit në pronë, ju do të merrni fatura nga komuna të ndryshme në adresa të ndryshme si në vijim:

Fatura do të dërgohet si në vijim:

  1. Parimisht në adresë të banimit tuaj primar në atë komunë.
  2. Nëse nuk keni banim primar në atë komunë, fatura do të dërgohet në adresë të objektit tuaj.
  3. Nëse keni më shumë se një objekt, fatura do të dërgohet në:
    a. Objektin banues që është regjistruar i pari
    b. Nëse nuk keni objekt banues në atë komunë, fatura do të dërgohet në objektin që është regjistruar i pari
  4. Për parcela pa objekte, fatura do të dërgohet në adresë të personit të regjistruar si pronar në Regjistrin Kosovar të Pronave në Agjencionin Kadastral të Kosovës.

Ju lutemi sigurohuni që të gjitha parcelat dhe objektet tuaja janë të regjistruara me numrin tuaj personal!

Ju lutemi mbani në mend! Është shumë e rëndësishme të kontrolloni që keni marrë një specifikim të tatimit të vlerësuar për të gjitha parcelat dhe objektet tuaja në mënyrë që të paguani me kohë. Përndryshe, rrezikoni të ngarkoheni me gjoba dhe interes për vonesë të pagesës. Duke regjistruar numrin tuaj personal me të gjitha parcelat dhe objektet tuaja, ju reduktoni rrezikun që të mos merrni një Specifikim për tatim të vlerësuar për të gjitha pronat tuaja.