Doni të bëheni pronar apo posedues të një prone?

Nëse jeni duke planifikuar të bleni një pronë, apo në ndonjë mënyrë tjetër të vini në posedim të një prone, janë disa gjëra që duhet t’i dini.

❶Ju do të jeni të detyruar të paguani tatim në pronë

Kur zotëroni apo në ndonjë mënyrë tjetër posedoni një pronë, ju jeni të detyruar të paguani tatim në pronë për atë pronë.

Ju lutemi vëreni që çdo tatim i papaguar këtë vit dhe borxhet nga vitet paraprake e përcjellin pronën. Prandaj është e rëndësishme që këtë ta rregulloni në kontratë me pronarin/poseduesin e mëhershëm, në mënyrë që të mos përfundoni duke paguar borxhet e dikujt tjetër.

Ju mund të kontrolloni në zyrën e tatimit në pronë nëse ka borxhe paraprake mbi pronën.

❷Ju duhet të regjistroni posedimin tuaj në regjistrin e tatimit në pronë

Brenda 30 ditëve nga kur bëheni posedues i një prone, ju duhet t’a regjistroni atë në regjistrin e tatimit në pronë. Lexoni më shumë këtu

Nëse nuk e regjistroni pronën me kohë, ju rrezikoni të gjobiteni.

 

❸Ju duhet të kontrolloni informatat e regjistruara

Një prej gjërave të para që duhet të bëni si posedues i ri është të kontrolloni të gjitha informatat e regjistruara për pronën për t’u siguruar që gjithçka është e saktë, përndryshe rrezikoni që të paguani tatim të pasaktë në pronë, dhe do të duhet të paguani gjoba për mos regjistrim të informatave të sakta.

Ne ju rekomandojmë që të kontrolloni informatat në Certifikatën e vlerës së vlerësuar. Atë mund t’a merrni në zyrën tuaj komunale të tatimit në pronë apo në E-zyrë nëse e keni regjistruar numrin tuaj personal.

Për më shumë rreth asaj se çfarë informata duhet të kontrolloni, shihni artikullin “Ka diçka gabim? Korrigjojeni atë!”

❹Ju duhet të regjistroni numrin tuaj personal në regjistrin e tatimit në pronë

Nëse regjistroni pronën tuaj me numrin tuaj personal në zyrën tuaj komunale të tatimit në pronë, ju do të jeni në gjendje të merrni faturën tuaj të tatimit në pronë, Certifikatën e vlerës së vlerësuar etj. On-line.

 

❺Regjistroni Banimin primar

Nëse prona ka një ndërtesë që do ta shfrytëzoni si banim primar tuajin, ju duhet të regjistroni pronën si banimin tuaj primar për të përfituar zbritjen prej 15 000€ nga vlera e vlerësuar.

Copy link
Powered by Social Snap